Gazetari investigativ Artan Hoxha është shpallur “person non grata” nga autoritetet e Republikës së Greqisë dhe është ndaluar të hyjë përgjithmonë në territorin grek, pasi konsiderohet “i padëshirueshëm” dhe “kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”.
Vendimi është komunikuar të martën në pikën kufitare të Kakavijës, ku Hoxha po udhëtonte drejt Janinës.
Sipas gazetarit, policia greke e kufirit e ndaloi atë në sportelin e kontrollit të pasaportave dhe pasi i mori dokumentin e udhëtimit, e mbajti rreth një orë në komisariat. Rreth orës 10:30, atij i është dorëzuar vendimi që e përjashton nga hyrja në Greqi për një afat të pacaktuar. Në dokumentin zyrtar thuhej se:
1) është karakterizuar si person i padëshirueshëm.
2) konsiderohet rrezik për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të BE-së.
Pas njoftimit, policia greke i vendosi një kryq me stilolaps mbi vulën e hyrjes në pasaportë dhe e urdhëroi të largohej menjëherë nga territori helen.
Sipas gazetarit, shpallja e tij “non grata” është një veprim politik i autoriteteve greke, që sipas tij synon të penalizojë gazetarët shqiptarë që ekspozojnë aktivitete të paligjshme në dëm të interesave shqiptare.

